Friday, February 27, 2009

Young Albanian Women Committing Suicide!

From 2000 to 2008, more than 1,500 Albanians committed suicide. Most of them are young people. Unfortunately, statistics are not broken down my gender. However, the author of the article states that most of the people who commit suicide in Albania are young women. Professor of Psychology, Edmond Dragoti, blames the patriarchal nature of society, for the high rate of suicide among young Albanian women.

Eglantina Bardhi | 21/02/2009 www.shekulli.com.com)
*

Numri i vetëvrasjeve po rritet në mënyrë alarmante vitet e fundit. Madje, statistikat tregojnë se shqiptarët vetëvriten 15 herë më shumë se para viteve '90-të. Këto fakte tragjike i publikon vetë Instituti i Shëndetit Publik, i cili bën apel për më shumë masa parandaluese për të frenuar fenomenin. Ndonëse nuk janë më të varfër se para viteve '90-të, profesori i psikologjisë, Edmond Dragoti, shpjegon arsyet se përse ky fenomen është ulur këmbëkryq në vendin tonë.
****
Gjatë viteve të fundit ka një rritje të vetëvrasjeve. Jemi në momentin për të filluar dhe marrë masa konkrete në këtë drejtim. Situata është alarmante. Kjo theksohet në raportin e ISHP-së, sipas së cilës, gjatë periudhës 2000-2008, numri i vetëvrasjeve arriti në mbi 1500, ndërsa gjatë viteve 1976-1982, rastet nuk kalonin shifrën 100. "Kjo do të thotë se pas viteve '90-të, numri i vetëvrasjeve është rritur afërsisht 15 herë më shumë", - pohojnë specialistët e shëndetit publik.
Po pse shqiptarët po e vrasin veten më shumë në ditët e sotme, ndonëse dikur ishin më të varfër? Për këtë, psikologët japin shpjegimet e tyre. "Shpjegimi për këtë është se populli ynë, në ato vite, ka qenë një shoqëri kolektive, që do të thotë se, familja, fisi, dhe shteti, të mbështesnin financiarisht dhe shpirtërisht. Madje, varfëria dhe barazia ishte mbështetja më e madhe shpirtërore që merrte shoqëria para viteve '90-të", - pohon psikologu Dragoti, duke shpjeguar se në ditët e sotme, jo vetëm që nuk ka barazi sa i përket nivelit ekonomik, por tashmë shoqëria nuk ka ku gjen askund mbështetje, as ekonomike dhe as shpirtërore. Pikërisht ky konflikt që ka tregu i sotëm, bën që shumë individë të mos gjejnë dot alternativa për të jetuar me sukses.
*****
Fatkeqësitë e vetëvrasjeve në vendin tonë, nuk mbyllen thjesht me shifra, pasi ky fenomen prek sidomos moshat e reja. "Për sa u përket grupmoshave, duhet marrë në konsideratë numri i të rinjve, 15-26 vjeç. Gjatë viteve 2005-2008 janë shënuar 172 raste nga kjo grupmoshë",- bëhet e ditur nga raporti i ISHP-së. Në fakt e njëjta situatë rezulton edhe në shërbimin e Toksikologjisë, pasi shumica e të vetëhelmuarve i përkasin adoleshentëve. Psikologu Dragoti shpjegon se kjo ndodh për arsye se të rinjtë e shohin veten çdo ditë e më shumë të pashpresë. Shohin shumë pak alternativa punësimi, mundësitë për të përballuar jetesën i kanë të vogla dhe si rrugëzgjidhje gjejnë vetëvrasjen.

Dragoti: Ja pse po e vrasin veten shqiptarët

Tranzicioni i zgjatur dhe varfëria, janë faktorët e rritjes së krimeve dhe vetëvrasjeve. Kjo favorizon rritjen e një tensioni në shoqëri, që shkarkohet në stres individual. Kështu e nisi shpjegimin e tij për vetëvrasjet, profesori i Psikologjisë, Edmond Dragoti, i cili theksoi se kjo e ngarkon më tepër individin tonë, edhe për faktin se problemet e mëdha të jetesës, si punësimi, të ardhurat ekonomike për të plotësuar nevojat bazë të mirëqenies, vazhdojnë të mos plotësohen. Kjo, sipas tij, do të thotë se kemi të bëjmë me një problem që zgjat pa të ardhme dhe pa shpresa për ndryshime
"Në kulturën tonë patriarkale, shqiptarët nuk janë të prirur për të vrarë veten. Ne kemi imunitete ndaj nevojave bazë dhe kemi raport kolektiv që të mbështesim njëri-tjetrin, por tensioni shumë i madh që krijohet nga problemet sociale dhe zgjatja e tij, sjell humbjen e shpresës. Kjo sjell që njerëzit të gjejnë si mjet shpëtimi vetëvrasjen",- shpjegon Edmond Dragoti. Sipas tij, në vendin tonë, vetëvrasjet kanë karakter të veçantë nga vendet e tjera. Kështu, nëse vendet perëndimore, vendet nordike, Rusi, etj., e vrasin veten më shumë pleqtë, tek ne ndodh e kundërta, pasi në përgjithësi, veten e vrasin të rinjtë. Kjo ndodh për shkak të mungesës së mbështetjes që duhet të gjejnë ata tek shteti dhe shoqëria për të zgjidhur problemet sociale. Gjithashtu, ndryshe nga vendet e tjera, ku veten e vrasin më shumë meshkujt, tek ne ndodh e kundërta, pasi femrat e vrasin më shumë veten dhe kjo, sipas psikologut, ka lidhje pikërisht me shoqërinë tonë patriarkale. e.bardhi


Të vetëhelmuarit, kërkojnë ndihmë kur janë afër vdekjes

Vendosin t'i japin fund jetës, por kur shohin vdekjen me sy, pendohen rëndë për atë që kanë bërë. Toksikologu pranë Spitalit Ushtarak, Sterio Karanxha, shpjegon se të vetëhelmuarit, në momentin që ndihen shumë rëndë nga helmimi që vepron në organizmin e tyre, kërkojnë ndihmë. "Të lutem doktor, më shpëto, nuk dua të vdes",- kjo është në përgjithësi, sipas Karanxhës, fjalia me të cilën këta pacientë u drejtohen mjekëve. Vetëm në ato momente, shton ai, kërkojnë të jetojnë përsëri, por për fat të keq, për disa është shumë vonë, pasi helmimi ka arritur faza ku nuk mund të bëhet asgjë për ta. "Janë momente shumë të vështira për çdo toksikolog dhe përpjekjet tona për shpëtim, në këto raste, janë në maksimum. Fatkeqësisht, jo të gjithë mundin të mbijetojnë",- pohon ai, duke shtuar se numri gjithnjë në rritje i rasteve të tilla, është shumë tronditës. e.bardhi

Mënyrat e vetëvrasjes në vitet 2005-2008

276 vetëvrasje me helm
273 vetëvrasje me varje
119 vetëvrasje me armë zjarri
75 me hedhje nga lartësitë
31 me mbytje në ujë

No comments: